Deklaratë për mediat e Kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, z. Fatmir Xhafaj

Ju, përfaqësuesit e medias në radhë të parë, publiku i gjerë gjithashtu dhe partnerët ndërkombëtar veçanërisht janë të gjithë dëshmitar të faktit se sa shumë punë është dashur, se sa shumë debate e fjalë janë harxhuar gjatë një viti të tërë për ti bindur të gjithë për këtë proces kaq jetik për fatet e vendit dhe të ardhmen e qytetarëve shqiptarë, reformimin rrënjësor të sistemit të drejtësisë shqiptare.

Jam shumë i lumtur teksa shoh që reforma për drejtësinë nga një ëndërr e madhe, nga një tabu, sot është një realitet i prekshëm. Nga një ide, sot është një projekt konkret, një projekt për të cilin kemi tashmë edhe një opinion zyrtar të Komisionit të Venecias.

Ndjehem mirë teksa shoh rrugën që ka përshkruar reforma, një proces të shkëlqyer, të pandodhur më parë ndonjëherë në këtë vend, një proces tërësisht gjithëpërfshirës, transparent e profesional me asistencën dhe standardet më të larta ndërkombëtare të fushës.

Asnjë amendament kushtetues, asnjë ligj që është hartuar diskutuar dhe miratuar në këtë vend në 25 vjet nuk e ka pasur fatin e mirë të një procesi të tillë të këtyre standardeve.

Jam shumë i gëzuar që më në fundi i shoh të gjithë të brohorasin: “Rroftë reforma në drejtësi”.

Ndjehem mirë që edhe ata që deri dje kanë folur dhe çfarë nuk kanë folur, kanë gjuajtur me fjalëguri ndaj reformës, procesit, njerëzve që kanë punuar në të dhe produktit të nxjerrë prej tyre, sot janë duke vrapuar të bëhen pjesë e saj të rreshtohen përkrah reformës dhe reformatorëve.

Ne kemi qenë dhe mbetemi të vendosur në qëndrimet tona për të pasur një projekt kushtetues produkt të ekspertizës më të mirë vendase e ndërkombëtare dhe jo produkt të pazareve partiake, pazare që e katandisën drejtësinë këtu ku është sot, ku nuk e besojnë jo më qytetarët, por për ironi dhe fatin e keq të qytetarëve, as ata vetë që e krijuan këtë gjendje skandaloze të sistemit.

Ne kemi qenë dhe mbetemi koherent të rolit të jashtëzakonshëm të asistencës dhe ekspertizës ndërkombëtare në kryerjen e këtij ndryshimi rrënjësor. Të vetëdijshëm plotësisht për vlerat e larta të këtij procesi ne ndërtuam gjatë këtij viti një proces tejet të hapur,  tërësisht profesional me asistencën më të mirë ndërkombëtare të BE, të SHBA dhe Komisionit të Venecias.

Është një lajm shumë inkurajues i fundvitit fakti që Partia Demokratike e ka përqafuar publikisht dhe pa ekuivok idenë tonë të ditës së parë të punës për reformën në drejtësi, se Komisioni i Venecias është pika më e sigurtë e referimit për një reformë të thellë dhe gjithëpërfshirëse të drejtësisë.

Nuk mund te prisnim lajm më të mirë në këtë fundviti dhe uroj megjithë zemër që entuziazmi i opozitës për raportin e ndërmjetëm të Komisionit të Venecias, të kthehet në një angazhim të sinqertë në tryezat e punës për të nxjerrë produktin që meriton Shqipëria dhe shqiptarët.

Është po ashtu momenti për të falënderuar partnerët tanë, dhe për të veçuar në këtë falënderim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara dhe ambasadoren e BE-së, për shtysën e madhe dhe mbështetjen e çmuar morale që na kanë dhënë në këtë proces historik kaq të vështirë. 

Duke i falënderuar me mirënjohje të gjithë anëtarët e Komisionit të Venecias që u përfshinë në kohë rekord në këtë proces, për vlerësimet e tyre të larta për punën e bërë deri tani si edhe për të gjitha sugjerimet e mirëpritura mesa duket tashti dhe nga të gjitha forcat politike, dua t'i siguroj se ne do ta ndjekim me përkushtim të plotë politik dhe profesional rrugën e sugjeruar për përfundimin e punës kolosale të bërë deri këtu.

Përmes një opinioni paraprak ky organizëm prestigjioz ndërkombëtar ka dhënë vlerësimet dhe komentet e tij për procesin dhe projektin kushtetues. Ne të gjithë jemi krenar për vlerësimet dhe komentet e këtij komisioni të nderuar. Vlerësime që shumë pak dokumente të tilla kanë pasur fatin t’ju adresohen kaq pozitivisht nga një opinion zyrtar i Komisionit të Venecias.

Në këtë opinion ndër të tjera do të dëshiroja të veçoja këto paragrafë që janë dhe thelbi i qëndrimit të Komisionit të Venecias për procesin dhe për projektin kushtetues. Në raportin paraprak final të Komisionit të Venecias theksohet shprehimisht se:

Komisioni i Venecias shpreh mbështetjen e tij për përpjekjen që po bëjnë autoritetet shqiptare për reformën e thellë në sistemin gjyqësor shqiptar. Një reformë e tillë nevojitet në mënyrë të menjëhershme dhe situata kritike në këtë fushë i justifikon zgjidhjet radikale. Ndryshimet kushtetuese përfaqësojnë një bazë të qëndrueshme për punë të mëtejshme në këtë drejtim”

Ky është vlerësimi zyrtar i Komisionit të Venecias për procesin e reformës, për rëndësinë e reformës dhe për produktin e parë të tij, projektligjin kushtetues.

Natyrisht siç edhe kemi theksuar në vijimësi, jo sot, por në të gjitha daljet tona të mëparshme, kjo është një bazë shumë solide për fazën tjetër të punës që sapo ka filluar, edhe sepse siç po shihet, mori konsensusin e të gjitha palëve. Mbi këtë projekt aktual do të duhet të ripunohet për të reflektuar ide e zgjidhje më të mira nga Komisioni i Venecias, ekspertët e grupeve politike parlamentare, gjyqtarët, prokurorët, mbështetës të procesit dhe padyshim dhe nga vetë publiku i përfshirë aktivisht në këtë proces.

Dëshiroj ta përmbyll me një mesazh publik për të gjithë :

Mirësevini në trenin e reformës !

Ky është treni i drejtësisë për qytetarët dhe jo drejtësisë për politikanët e zyrtarët !

Ky është treni i drejtësisë ku të gjithë duhet të ulemi dhe të sillemi, të respektohemi dhe të ndëshkohemi si të barabartë para ligjit !

Kush e pranon këtë udhëtim si të tillë është i mirëpritur të zërë vendin që i përket.

Ka vend për të gjithë.

 

Përgjigje për pyetjet e gazetarëve

 

Z. Xhafaj në këtë apel të fundit që ju bëtë, duket se përveç Partisë Demokratike, i keni bërë thirrje edhe forcave që janë në koalicion me ju siç është LSI, e cila ashtu si PD ka pasur edhe ajo le të themi rezervat për draftin që ju i keni çuar Komisionit të Venecias duke çuar edhe ajo variantet e saj në këto organizma ndërkombëtare. Ishte i tillë mesazhi juaj drejtuar le të themi të gjithë atyre që do të duan të hipin në trenin e drejtësisë ?

Shoqata e prokurorëve dhe gjyqtarëve ka shprehur sërish sot shqetësimin se nuk janë pyetur gjatë hartimit të draftit të reformës në Drejtësi? A e bën kjo reformën një reformë të bërë nga politikanët dhe jo nga ekspertët e sistemit siç është pretenduar nga shoqatat e tyre ?

Fillojmë nga pyetja e parë. Unë nuk bëra ndonjë thirrje të përveçme. Thashë për të gjithë, për të gjithë ne, për ata që realisht dëshirojnë të bëhen pjesë reale e sinqertë e këtij procesi, e këtij procesi që është një proces që synon të kthejë drejtësinë te qytetarët për t’ua marrë atë pazareve politike. Përsa i përket Lëvizjes Socialiste për Integrim, ne jemi pjesë e mazhorancës. Dhe për të freskuar memorien tuaj dhe të kujtdo tjetër, kur nisi ky proces nuk e nisi Partia Socialiste në sensin e miratimit të saj, e gjithë mazhoranca e ka votuar këtë proces dhe Lëvizja Socialiste asnjëherë nuk e ka lënë karrigen bosh në tryezën e komisionit të punës. Nëse ju dëshironi ta ndani për shkak të disa komenteve dhe sugjerime të bëra prej ekspertëve të saj lidhur me dokumentin e ekspertëve, kjo mendoj se nuk është një qasje e drejtë për shkak sepse është në të drejtën e të gjitha grupeve politike parlamentare të shprehin konsideratat, vlerësimet dhe sugjerimet rreth këtij projekti i cili ka në fondament të tij ekspertizën, por natyrisht mbetet në fund një proces politik për shkak të nevojës që ka për t’u votuar dhe miratuar përmes vullneteve politike të shprehura në procesin parlamentar.

Lidhur me shoqatat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, me thënë të drejtën në fillim e ndoqa edhe unë atë tryezë. Natyrisht është një zë më shumë dhe nuk do ta keqkuptoja si të tillë për të folur, për të diskutuar. Por unë e kam bërë të qartë përmes shifrave, fakteve konkrete gjerësinë e këtij proces, gjithëpërfshirjen e këtij procesi. Natyrisht është e drejtë e tyre ta artikulojnë në mënyrën se si e çmojnë, por më duhet të them që shoqatat e gjyqtarëve dhe gjyqtarët, prokurorët, avokatët, noterët, përmbaruesit, pedagogët e fushës kanë qenë jo thjeshtë të ftuar, por të lutur në vijimësi nga ana jonë për t’u shprehur. Në mënyrë institucionale shoqatave të gjyqtarëve u është dhënë mundësia të flasin në të gjitha tryezat, në të gjitha jo vetëm të jenë prezent, por të flasin në të gjitha tryezat, të dorëzojnë komente me shkrim në shqip dhe në anglisht për Komisionin e Venecias, të takohen edhe me reporterët e Komisionit të Venecias që kanë qenë këtu, t’ua dërgojnë edhe atyre zyrtarisht. Sot mendoj se është momenti që të gjithë t’i nënshtrohen pikërisht këtij gjykimi, pozitiv në tërësinë e tij të bërë nga ana e Komisionit të Venecias mbi projektin kushtetues. Nëse ka njerëz që e kundërshtojnë, unë e kam thënë dhe do ta them vazhdimisht, padyshim që ka. Ka dhe do të ketë për sa kohë që preken interesa nga kjo reformë dhe kjo prandaj është një reformë e thellë, e fortë sepse prekin interesat dhe kjo mua më bën të qetë.

Z. Xhafaj ju thatë se në fund të ditës gjithë ky është një proces politik, është hedhur një hipotezë që reforma në drejtësi të vijojë sipas modelit të ligjit të dekriminalizmit, pra një komision i posaçëm me barasvlerë të përfaqësimit politik.

Po komisioni i posaçëm është sot i ndërtuar në mënyrë të tillë. Sot komisioni i posaçëm është me barazi politike midis mazhorancës dhe opozitës. Është ndërtuar si i tillë.

Z.Xhafaj nga Partia Demokratike ka dalë një qëndrim i z. Halimi që duhet një ligj i ri për reformën në drejtësi, pra e zhbën atë punën që keni bërë deri tani. A jeni të gatshëm si ju si mazhorancë të angazhoheni ...

Nuk e besoj se z.Halimi do të thotë një gjë të tillë për një ligj në Reformën në Drejtësi për më tepër që po flasim për ndryshimet Kushtetuese në Reformën në Drejtësi dhe në dijeninë time, nuk e kam ndjekur z.Halimi, por kam ndjekur Kryetarin e z. Halimi, i cili ka dalë me opinionin e Komisionit të Venecias dhe e ka quajtur atë një hartë, një udhërrëfyes mbi të cilën duhet të orientohet më tej puna në vazhdim ku bashkohen pikëpamjet e të gjitha palëve, përfshirë edhe pikëpamjet e Partisë Demokratike.

Ne jemi të lumtur për këtë fakt. Ne këtë kemi kërkuar nga dita e parë deri më sot, jemi të lumtur që erdhëm të gjithë sot tek kjo ditë më së fundmi dhe tek raporti i Komisionit të Venecias.

Dua t’ju them diçka për Raportin e Komisionit të Venecias, për ta kuptuar më thjeshtë debatin e ditës rreth tij.

Jam i gatshëm të sfidoj për këto që do të them cilindo politikan, jurist, gjyqtar, prokuror, mbi opinionin e Komisionit të Venecias. Nuk ka asnjë dispozitë të atij projekti që s’ka gjetur mbështetjen e Komisionit të Venecias. Komisioni i Venecias në raportin e tij në asnjë faqe dhe në asnjë rresht të tij nuk kryqëzon ndonjë nga amendamentet, përkundrazi, mbështet shumicën e amendamenteve dhe zgjidhjeve të dhëna nga ekspertët e nivelit të lartë dhe është rasti për t’ju dhënë atyre një falenderim të madh.  Po, kemi disa sugjerime sesi mund të përmirësohen më mirë.

Por unë do të dëshiroja ti bëja thirrje kujtesës tuaj dhe të gjithë atyre që janë përfshirë në këtë proces. Besoj se ju kujtohet në datën 7 dhjetor, ekspertët e nivelit të lartë kanë bërë këtu një deklaratë rreth përfundimit të procesit të konsultimeve. Ju lutem referojuni asaj deklarate çfarë kanë thënë dhe shihni nëse janë gati të ngjashme reflektimet që ata kanë bërë me ato të Komisionit të Venecias dhe kjo është një gjë shumë e rrallë. Në datën 7 dhjetor në përmbyllje të procesit të konsultimit të një procesi konsultim shumë serioz, në një dalje shumë serioze, në një deklaratë shumë serioze, shumë të përgjegjshme dhe shumë profesionale, ekspertët e nivelit të lartë kanë thënë që “ne në cilësinë e ekspertëve kemi mirëpritur dhe kemi shqyrtuar me vëmendje të veçantë kritikat dhe sugjerimet konkrete të projekt amendamentet kushtetuese në tryezat e konsultimit. Shumë prej tyre janë konstruktive për t’u marrë parasysh nga ekspertët në procesin e rishikimit”. Dhe kanë vënë konkretisht jo pak, por rreth 8 pika që ata mendonin, pa dalë raporti i Komisionit të Venecias, thjesht bazuar në procesin e konsultimit, që duhet të gjenin reflektim sepse ne ishim shumë të qartë që projekti që kishin dërguar në KV ekspertët ishte një projekt paraprak. E kemi thënë nga mëngjesi deri në darkë për ata që kanë pasur dëshirën të dëgjojnë dhe të kuptojnë në këtë proces që do të thotë që ai ishte një proces që mbasi t’i nënshtrohej konsultimit publik me ekspertët shqiptar, të të gjitha fushave, siç edhe u bë, dhe të merrte edhe opinionin zyrtar të Komisionit të Venecias për t’u riparë në gjerat që ka nevojë të rishihen. Në rreth 8 pika, ekspertët e nivelit të lartë shqiptar dhe ndërkombëtar, kanë dhënë trasenë, ose shtratin se ku do të duhej të rishikohej projekti. Që të gjitha sot janë pothuajse identike me Komisionin e Venecias, dhe a e dini pse? Edhe sepse ekspertët e nivelit të lartë kur janë ulur në tryeza bisedimesh edhe me ekspertët e Komisionit të Venecias, nuk janë ulur me paragjykime, janë ulur si eksperti me ekspertët dhe aty kanë parë së bashku se ku janë gjërat që mund të përmirësohet projekti.

 

Ajo që të gjithëve ne, si shqiptar pavarësisht nga diferencat politike, pozicionet që kemi, duhet të na bëjë besimplotë, është fakti që ky projekt i grupit të ekspertëve të nivelit të lartë është vlerësuar me një mbështetje maksimale nga raporti zyrtar i Komisionit të Venecias. Ne i ftojmë të gjithë të bashkohen në mënyrë të sinqertë me këtë projekt me vlerësimet e Komisionit të Venecias lidhur me çështjet e trajtuara nga ky projekt Kushtetues.

Komisioni i Venecias ka mbështetur tërësisht çështje thelbësore të këtij projekti që përbëjnë edhe themelet bazë të të gjithë strukturës së amendamenteve kushtetuese.

Ne e mirëpresim gatishmërinë e të gjithëve për ta vlerësuar raportin e Komisionit të Venecias, të mbështesim qëndrimin që ka mbajtur në mbështetje të projektit.

Konkretisht lidhur me ridimensionimin e kompetencave të Presidentit të Republikës në raport me sistemin e drejtësisë, duke pranuar se për Kushtetutën shqiptare është mjaft e rëndësishme të sigurohet,- thotë Venecia,- se roli i presidentit në emërimin e gjyqtarëve të jetë sa më formal.

Ne i mirëpresim të gjithë të bashkohen me opinionin e Komisionit të Venecias në mbështetje të projektit tonë kushtetues lidhur me kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për të mos kontrolluar kushtetutshmërinë e amendamenteve kushtetuese që aq shumë i ra si një herezi të madhe. Sot të paktën në mos kërkofshin falje, duhet të heshtin me faktin që opinioni zyrtar i Komisionit të Venecias iu dha të drejtë ekspertëve vendas dhe ndërkombëtar në projektin e tyre duke e konsideruar një standard normal dhe një zgjidhje të pranueshme.

Ne jemi të kënaqur, i vlerësojmë dhe mirëpresim të gjithë të bashkohen rreth mbështetjes që i ka dhënë Komisioni i Venecias, zgjerimit të të drejtës së individëve për të vënë në lëvize Gjykatën Kushtetuese, riorganizimin e Gjykatës së Lartë, riformatimin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit, nevojën për ngritjen e disa institucioneve kushtetuese si Këshilli për Emërimin, Tribunalin Disiplinor, Inspektoriatit të Drejtësisë, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Prokurorisë së Posaçme Anti-korrupsion etj. Të gjitha këto i ka mbështetur raporti i Komisionit të Venecias.

Riorganizimin e prokurorisë gjitashtu e mbështet fort Komisioni i Venecias duke dëshmuar domosdoshmërinë e rritjes së pavarësisë profesionale të prokurorive në raport me hierarkinë institucionale. I ka dhënë përgjigje ndërprerjes së mandatit të disa institucioneve të sistemit.

Dhe ajo që është më e rëndësishme, që askush nuk po e thotë dhe që duhet ta kishte thënë si kryefjalë, ka mbështetur fort procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Raporti i Komisionit të Venecias thotë e zeza në të bardhë se ky është një proces i domosdoshëm që duhet të kryhet në drejtësinë shqiptare. Duke konsideruar si një proces që diktohet nga gjendja alarmante e korrupsionit dhe niveli të ulët profesional në sistemin e drejtësisë shqiptar. Këtë e thotë raporti i Komisionit të Venecias. Çfarë nuk kishte thënë nëpër tryeza, nëpër tribuna politike lidhur me procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Sot ka ardhur përgjigja, po do të ketë vlerësim të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këtë e pranon pa asnjë ekuivok Komisioni i Venecias. Të bashkohemi pikërisht me këtë qëndrim të projektit kushtetues të mbështetur fort edhe nga raporti paraprak i Komisionit të Venecias.

Komisioni i Venecias pas analizës që i ka bërë projektamendameteve të propozuara ka vlerësuar si pozitive dhe të mirëpritura

  • ndërhyrjet dhe rregullimet përkatëse lidhur me propozimin për të ndarë kompetencën e murimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese në tri organe kushtetuese me qëllim shmangien e bllokimit të procesit të emërimit që është prezent prej vitesh në Shqipëri

 

  • iniciativën për pavarësi buxhetore dhe financiare të Gjykatës Kushtetuese.
  • depolitizimit të procesit të emërimit të gjyqtarëve sidomos të atyre të gjykatave më të larta, Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Lartë Administrative por erdhe zyrtarëve të Prokurorisë së Përgjithshme.
  • efektin pozitiv të krijimit të një Gjykate të Lartë Administrative në drejtim të rritjes së profesionalizmit të gjyqtarëve që mbete e ndërvarur natyrisht nga vlerësimi i burimeve financiare dhe njerëzore të vetë autoritete shqiptare, thotë raporti i Komisionit të Venecias.
  • avantazhin që ka për Shqipërinë për ngritjen e një sistemi me dy këshilla ashtu siç vlerësohet ngritja e një inspektorati të pavarur të drejtësisë.
  • heqjen e imunitetit penal për të gjithë gjyqtarët e prokurorët dhe garantimin vetëm të imunitetit funksional.
  • dhënien Këshillit të Lartë Gjyqësorë, KLD-së së sotme, të të gjitha funksioneve thelbësore të menaxhimit të çështjeve që lidhen me gjyqësorin duke krijuar edhe në strukturat e nevojshme për kryerjen e këtyre funksioneve.
  • ngritjen e një sistemit prokurorie të pavarur duke i dhënë hapësirë vendimmarrëse dhe përgjegjësie prokurorit të çështjes dhe heqjes së varësisë personale të tij nga preferencat e prokurorit të përgjithshëm në hetimin e një çështjeje të caktuar.
  • gjithashtu formimin e rolit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ka mbështetur raporti i Komisionit të Venecias duke i dhënë kompetenca thelbësore këtij këshilli në emërimin, shkarkimin, përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve, por edhe në menaxhimin e punës të brendshme të sistemit të prokurorisë.

Natyrisht, a ka thënë veç këtyre vlerësimeve ky raport gjëra që a ka nevojë, që duhen riparë, duhet rishkruar ? Patjetër. Thashë që janë vetë ekspertët e nivelit të lartë ata që kanë arritur në këtë përfundim.  Dhe raporti gjithashtu. Janë pothuajse në të njëjtën linjë. Ku konsistojnë ato ?

 

Së pari, lidhur me rishikimin e dispozitave që mundësojnë integrimin e Shqipërisë në BE, ka nevojë që ato dispozita të rishkruhen.

Së dyti, parashikimin e disa kritereve profesionale për të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë gjyqtar që i shërben transparencës dhe pavarësisë së personave me përvojë si edhe kritereve më të qarta dhe më të detajuara për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Lartë Administrative, Prokurorit të Përgjithshëm etj.

Së treti, shtrirjen e përgjegjësisë disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve duke përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese.

Së katërti, reduktimin e mëtejshëm të rolit të Ministrit të Drejtësisë në Këshillin e Lartë gjyqësor sidomos, e sqaroj për të evituar çdo keqkuptim, sa i takon fillimit të procedimit disiplinor ndaj një gjyqtari apo qenies së tij si anëtar i Tribunalit Disiplinore, me synimin e shmangies së konfliktit të interesit.

Së pesti përfshirjen e Këshillit për Emërimin edhe të anëtarëve nga jashtë gjyqësorit. Pra, ne nuk e kishim këtë më përpara. Venecia ka shkuar pak më tej edhe se vetë ekspertët e nivelit të lartë. Këshilli për Emërimin ishte brenda radhëve të gjyqtarëve dhe prokurorëve, është Venecia që shkon pak më larg përkundër gjithë anatemimeve që i ishin bërë këtij këshilli në këtë debatin tonë të brendshëm, preferencial me interesa përkatëse. Dhe thotë nevojën për përfshirjen në Këshillin për Emërimin edhe të anëtarëve nga jashtë gjyqësorit për të shmangur korporatizimin në gjyqësor dhe në prokurori si edhe koordinimin e veprimtarisë së tij me atë të organeve që kanë kompetencën për të bërë emërime.

Së gjashti thekson gjithashtu, nevojën për pozicionimin e qartë të Inspektoratit të Pavarur të Drejtësisë në skemën institucionale kushtetuese. Sa shumë e kishin kritikuar në ato raportet alternative, fjalë të tëra, faqe të tëra, si një gjë e panevojshme, e dëmshme, një eksperiment, etj. Jo, thotë raporti i Komisionit të Venecias. Duhet, por natyrisht shikojeni më qartë se çfarë pozicioni do të ketë në skenë dhe është e drejtë. E kanë thënë edhe ekspertët në daljen e tyre publike.

Së shtati, zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Kuvendi mbi bazën e një liste ku renditet të gjithë kandidatët sipas kualifikimit si edhe parashikimin e një mekanizmi zhbllokues. Jo se nuk duhet bërë kështu, kështu duhet të bëhet, por parashikojeni një mekanizëm zhbllokues se e dinë që ne e kemi për qejf t’i bllokojmë gjërat në rast të mosarritjes së shumicës prej 3/5-ve.

Çfarë thonë tjetër në sens pozitiv mbështetës ?

Së teti, qartësimin e raportit ligjor dhe institucional me synim shmangien e mbivendosjes se kompetencave ndërmjet strukturës së posaçme dhe anti-korrupsion, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokurorisë së Përgjithshme, por nuk thonë që nuk duhet strukturë e posaçme anti-korrupsion, nuk duhet Byroja Kombëtare e Hetimit apo nuk duhet Prokurori i Përgjithshëm në rolin që i ka dhënë projekti. Jo, por thotë i qartësoni kompetencat që të mos ketë përplasje ndërmjet tyre.

Së nënti, çfarë thonë tjetër, shihni pozicionimin dhe përfarimin me statusin e një gjykate të shkallës së dytë, që shqyrton ankimet gjatë procesit të vlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve me qëllim eliminimin e çdo mundësie për t’u vlerësuar si shkelje nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut. Pra, bëjeni procesin, ngrini komisionet e vlerësimit, por shihni me kujdes që ky të plotësojë këto standarde, në mënyrë që të mos ju rrëzohen nesër ankesat. Shikoni çfarë kujdesi të veçantë tregon Komisioni i Venecias. Pra, e pranon këtë fakt, por thotë të jeni të kujdesshëm.

Dhe së dhjeti, parashikimin e një procedure më sintetike në Kushtetutë për procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i lënë rregullimet e detajuara në ligjin specifik që do të miratohet për këtë qëllim. Pra, i qëndron natyrës së formulimit kushtetues, e pranojnë absolutisht vlerësimin e domosdoshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve të integritet të tyre moral, profesional dhe thonë që ka nevojë që amendamentet kushtetuese të ruajnë formën dhe frymën e Kushtetutës dhe rregullimet e detajet i kaloni në një ligj specifik. Prandaj them që është normale që të ketë dhe sugjerime dhe rekomandime përmirësuese, se për çfarë e çuam në Venecia ? Nëse ne mendonim që të gjitha i kishim “OK” mund të kishim thënë, “po, votojmë draftin e ekspertëve të nivelit të lartë dhe nuk ka nevojë të shkojmë në Venecia”. E çuam në Venecia, së pari sepse kishim nevojë për një ekspertizë shumë më profesionale për të parë gjëra që ne nuk kishim mundur t’i shihnim më thellë në këtë proces edhe në pajtim me modele të tjera, edhe me standardet ndërkombëtare që mbron ky organizëm prestigjioz në mënyrë që të kishim një produkt sa më cilësor.

Por e thashë edhe një herë, sfidoj cilindo që del dhe thotë që Komisioni i Venecias, ka rrëzuar ndonjë nga nenet e dërguara për opinion zyrtar ndaj projektit kushtetues. Absolutisht po, ka sugjerime për ta bërë më të mirë këtë projekt kushtetues dhe ky është një lajm i madh. Ky është një lajm i rëndësishëm dhe kjo na bën ne të lumtur, na bën të gëzuar që të gjithë më në fund i janë bashkuar projektit kushtetues dhe vlerësimit që ka bërë opinioni i Venecias, mbështetur edhe në opinionet e grupeve politike, mbështetur në opinionet e gjyqtarëve dhe të prokurorëve për ta bërë më së miri më cilësor, më të qëndrueshëm këtë projekt kushtetues.

A ka një afat z. Xhafaj ? Është tejkaluar vjeshta e këtij viti që ishte ambicia e Kryeministrit për ta përmbyllur reformën në drejtësi ndërkohë që ambasadori amerikan ka folur për një tjetër afat, përfundimin në pranverën e vitit që vjen dhe në korrik sipas tij gjyqtarët e korruptuar do të ishin në burg...

Mendoj që afatet janë të rëndësishme por nuk janë thelbësore në gjithë procesin. Siç e keni parë ne nuk i kemi kushtuar rëndësi afateve, por produktit, cilësisë, procesit, që ka nxjerrë këtë produkt. Natyrisht ishte dëshira e ligjshme e justifikuar e lidhur kjo edhe me axhendat e procesit integrues të vendit, ajo e Kryeministrit për ta parë reformën për ta parë së paku draftin kushtetues të miratuar në Parlament, por gjithsesi nuk jemi tej atij parashikimi pasi sot kemi një draft kushtetues që ka marrë notë pozitive vlerësime pozitive, mbështetje pozitive nga Komisioni i Venecias, arbitri i gjithëpranuar nga palët në këtë vend. Mbetet shumë pak punë për të bërë për të reflektuar këto vërejtje dhe për t’ia nënshtruar më pas debatit dhe votës parlamentare.

Në fakt, PD ka deklaruar se Komisioni i Venecias rrëzon 90 për qind të draftit. Sa e ndihmon kjo procesin dhe vijimin e punës për të arritur një reformë konsensuale dhe a do të kemi një reformë konsensuale nga të dyja palët ?

Unë i përmbahem qëndrimit zyrtar që ka dhënë PD-ja. Qëndrimi zyrtar i PD-së është qëndrimi i artikuluar dje, sipas të cilit Venecia, dokumenti i saj, është ajo që i bashkon të gjitha palët në tavolinë. Dhe kur të ulemi në tavolinë është fare e thjeshtë për të thënë se çfarë është shkruar, çfarë ka thënë Venecia për të, çfarë nuk ka nevojë të preket me dorë, çfarë ka nevojë që të rishihet. Dhe nëse do të bëjmë këtë analizë të thjeshtë, unë u kërkoj të gjithëve të nxjerrin një nen për të cilin Komisioni i Venecias është shprehur se nuk u qëndron standardeve. Por e ritheksoj, unë jam shumë dakord edhe me vlerësimin e opozitës, të ekspertëve të tyre veçanërisht, që padyshim ka nevojë të rishihet drafti në dritën e sugjerimeve, komenteve, propozimeve të ardhura nga konsultimi i gjerë i zhvilluar gjatë gjithë muajit nëntor dhe nga rekomandimet e Komisionit të Venecias. Dhe kjo nuk është fundi botës, përkundrazi duhet vlerësua si një gjë tejet pozitive.