Durrës: Konsultim publik mbi sistemin gjyqësor dhe mënyrat e financimit drejtësisë

Vëmendje për Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë ka dhe aspekti për mënyrat e financimit të sistemit të drejtësisë, që lidhen me etikën, me solemnitetin, por në një masë të konsiderueshme edhe me infrastrukturën, e cila kërkon edhe financimet e veta. Në bazë të parimeve të Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e gjyqësorit, është detyra e çdo shteti anëtar të mundësojë burimet adekuate në mënyrë që sistemi gjyqësor të ushtrojë sa më përshtatshmërisht funksionet e tij.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës ishte stacioni i rradhës për procesin e konsultimit publik rreth Dokumentit “Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri–2015”. Ditën e martë, 1 korrik 2015, në një auditor me studentë e pedagogë të këtij universiteti, gjyqtarë, prokurorë, avokatë dhe noterë nga Durrësi, Kavaja, Kruja dhe Tirana, aktivistë dhe drejtues të shoqërisë civile etj., anëtarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë pranë këtij Komisioni u përfshinë në diskutimin mbi sistemin gjyqësor dhe mënyrat e financimit të drejtësisë në Shqipëri.

konsultimi_ne_durres_2.jpgBashkëkryetari i Grupit të Punës për Reformën në Sistemin Gjyqësor, z. Gent Ibrahimi prezantoi gjetjet dhe problematikat kryesore të këtij komponenti. Sipas tij, problemet janë të shumta dhe ato i interesojnë të gjithë ciklit të dhënies së drejtësisë nëpër gjykata, që nga momenti i depozitimit të padive nga qytetarët, deri në marrjen e verdiktit përfundimtar. Duke nënvizuar vlerën e Dokumentit Analitik në procesin e Reformës në Drejtësi, z. Ibrahimi tha se ai mbetet referencial, sepse për çdo fushë, çdo i interesuar mund t’i drejtohet një dokumenti publik, i cili mban autorësinë e disa nga njerëzve më të spikatur në lëmin e drejtësisë dhe kjo është merita e parë.

“Një meritë tjetër është legjitimiteti për reformat që pasojnë më tutje. Është shumë e rëndësishme që ne të gjithë të kemi informacion, të kemi dije, qoftë për shkak të eksperiencave personale, qoftë për shkak të eksperiencave tona të punës, kemi dijeni për ato çka janë problemet e gjyqësorit. Që t’i përmbledhësh ato në mënyrë sistematike në një dokument, t’i artikulosh siç duhet, është mendoj hapi i parë drejt suksesit në reformën në sistemin gjyqësor”.

Vëmendje për Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe Grupin e Ekspertëve të Nivelit të Lartë ka dhe aspekti për mënyrat e financimit të sistemit të drejtësisë, që lidhen me etikën, me solemnitetin, por në një masë të konsiderueshme edhe me infrastrukturën, e cila kërkon edhe financimet e veta. Në bazë të parimeve të Kombeve të Bashkuara për pavarësinë e gjyqësorit, është detyra e çdo shteti anëtar të mundësojë burimet adekuate në mënyrë që sistemi gjyqësor të ushtrojë sa më përshtatshmërisht funksionet e tij.

Prezentë në këtë seancë rajonale të konsultimit publik ishin dhe shefi i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, si edhe ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, z. Hellmut Hoffman, të cilët kanë vlerësuar hapat e deritanishëm të Reformës në Drejtësi, duke inkurajuar vijimësinë në plotësimin e objektivave.

Për ambasadorin Raunig, reforma në drejtësi i shërben të gjithë shqiptarëve dhe Prezenca e OSBE-së do të vazhdojë ta mbështesë atë. Ai ka vlerësuar aktivitetin në Universitetin e Durrësit, si tregues dhe arritje të rëndësishme në fokusin të demokracisë pjesëmarrëse, që mbledh të gjitha palët e interesuara në një proces konsultimi gjithëpërfshirës, transparent dhe të udhëhequr nga shqiptarët.

“Secili nga ne ka përgjegjësinë të promovojë kulturën e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Është thelbësore që qytetari të ketë besim te sistemi i drejtësisë dhe t’i drejtohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, ndërkohë që shmangen kërkesë paditë e panevojshme. Që kjo të bëhet realitet, qytetari ka nevojë për edukim ligjor që të kuptojë të drejtat dhe detyrimet e veta”,- theksoi ndër të tjera në fjalën e tij ambasadori Raunig.

Mendimet dhe sugjerimet e takimit janë mbajtur shënim nga organizatorët për t’u trajtuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë. Ata ftuan studentët dhe pedagogët, si dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime përmes faqes online të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtëperdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.

Faza e konsultimeve publike, sipas kalendarit që është miratuar, do të vijojë në Universitetin “Ismail Qemali”, Vlorë, Universitetin “Fan S. Noli”, Korçë, në Universitetin “Eqerem Çabej”, Gjirokastër, Universitetin “Nehemia”, Pogradec dhe Universitetin “Luigj Gurakuqi”, Shkodër.