Grupet e interesit dhe përfaqësuesit e OSHC-ve në Korçë diskutojnë për ndryshimet kushtetuese

Në kuadër të Reformës në Sistemin e Drejtësisë u zhvillua sot në Korçë tryeza rajonale për prezantimin dhe konsultimin e paketës së ndryshimeve kushtetuese me gjyqtarë, prokurorë, avokatë, përfaqësues të shoqërisë civile të pranishëm në këtë veprimtari.
Eksperti i Nivelit të Lartë, z. Sokol Sadushi bëri një prezantim të risive për amendamentet kushtetuese, ndërsa përfaqësuesja e misionit të Euralius në Shqipëri, znj. Agnes Bernhard foli për amendamentet kushtetuese për “Pushtetin Gjyqësor”.
Duke folur për masat antikorrusion që do të ndërmerren me ndryshimet kushtetuese, z. Enrik Ligori theksoi se me ndryshimet që janë paraqitur nga grupi i ekspertëve të nivelit të lartë, synohet ngritja e një strukture që do të mundësojë hetimin e zyrtarëve të lartë  e cila duhet garantuar me Kushtetutë. 
Në përmbyllje të takimit, z. Jon Smibert, Këshilltar ligjor rezident i OPDAT relatoi dhe konkluzionet e kësaj tryeze diskutimi.
Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë ftuan gjyqtarë, avokatë dhe përfaqësuesit e grupeve të interesit që të jenë aktivë me propozime dhe mendime edhe përmes faqes on-line të Reformës në Drejtësi, www.reformanedrejtesi.al, apo dhe kontakteve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën.