Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Reformën në Sistemin e Drejtësisë miratoi projektligje të rëndësishme të reformës

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi, shqyrtoi dhe miratoi projektligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar“, SPAK.

Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë së Posaçme dhe njësisë së pavarur hetimore, të krijuara nga neni 148, paragrafi 3 i Kushtetutës. Ai përcakton kushtet shtesë që duhet të përmbushin prokurorët për t’u emëruar në Prokurorinë e Posaçme si dhe kushtet dhe procedurat shtesë për zgjedhjen e një Drejtuesi të Prokurorisë së Posaçme, ndërmjet prokurorëve të emëruar në Prokurorinë e Posaçme. Ky projektligj përcakton edhe kushtet që duhet të përmbushin shtetasit për të qenë oficerë dhe punonjës në njësinë e pavarur hetimore, kushtet që duhet të përmbushin shtetasit për të qenë punonjës në gjykatat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe në Prokurorinë e Posaçme; kompetenca e gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe e Prokurorisë së Posaçme; marrëdhëniet e Prokurorisë së Posaçme me institucione të tjera shtetërore, subjekte të tjera publike apo private, si dhe me publiku. Gjithashtu rregullon edhe mënyrën e organizimit dhe funksionimit për përmbushjen e procesit të hetimit të sigurisë të së kaluarës, vëzhgimit të të dhënave financiare dhe vëzhgimit të telekomunikacioneve të gjyqtarëve të gjykatave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar verifikimit, prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme, drejtorit, zëvendës drejtorit dhe shërbimeve të policisë gjyqësore të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Pasi u dëgjuan edhe ekspertët, deputetët e mazhorancës dhe të opozitës votuan me konsensus ndryshimet.

Gjithashtu, anëtarët u njohën zyrtarisht me vendimin e Këshillit të Ministrave, për mbështetjen financiare të reformës në drejtësi dhe reflektimi në nenet përkatëse.

Më pas, anëtarët vijuan edhe me miratimin e ndryshimeve në projektligjet e tjera, pjesë e paketës së ligjeve prioritare për reformën në drejtësi.

Një tjetër projektligj i miratuar ishte dhe ai për “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë”. Objekti i këtij ligji është përcaktimi i rregullave të organizimit dhe të funksionimit të Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë si dhe rregullon kushtet që duhet të përmbushin shtetasit që të emërohen prokurorë. Gjithashtu përcakton ; c) statusin e prokurorit; ç) karrierën dhe procedimin disiplinor të prokurorit; d) marrëdhëniet e Prokurorisë me institucionet e tjera shtetërore, me subjekte të tjera publike ose private dhe me publikun.

Nisma e tretë është ajo për “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”. Objekti i rregullimit të këtij ligji është përcaktimi i parimeve dhe rregullave në lidhje me organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi si dhe të Shkollës së Magjistraturës.

Projektligji i katërt është ai “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.

Ky ligj përcakton krijimin, organizimin dhe kompetencat e gjykatave, kushtet dhe procedurat për emërimin e gjyqtarëve të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, të drejtat dhe detyrimet e gjyqtarëve, masat disiplinore dhe shkarkimin e tyre, si dhe çështje të tjera të lidhura me funksionimin e gjykatave.