Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi diskuton disa projektligje të rëndësishme

Sot Komisioni ka diskutuar tre projektligje. Projektligjin për organizimin dhe funksionimin e institucioneve që merren me luftën kudër krimit të organizuar dhe korrupsionit,  projektligji i dytë është projektligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë dhe vazhdoi diskutimi nen për nen i projektligjit për statusin gjyqtarëve dhe të prokurorëve.

Dy projektligjet e para u paraqitën në parim. Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë bashkë me përfaqësuesit e Misionit EURALIUS dhe të OPDAT-it q ë kanë punuar për këto dy projektligje, bënë prezantimin e të dy nismave dhe iu përgjigjën të gjithë pyetjeve që patëm ne si anëtarë të Komisionit.

Pra është bërë vetëm diskutimi në parim.

Por ajo që do të doja të theksoja për këto dy projektligje, janë dy projektligje shumë të rëndësishme, të cilat i japin zgjidhje shqetësimit që kanë qytetarët, për të pasur një drejtësi të pastër nga korrupsioni, për të pasur një drejtësi efikase, për të pasur një drejtësi e cila nuk do të vonojë, por do të japë drejtësinë e duhur. Në këto projektligje ne patëm një sërë pyetjesh që bëmë lidhur me prokurorinë e posaçme, lidhur me gjykatën e posaçme, me njësitë hetimore që do të merren me hetimin e krimit të organizuar, me korrupsionin dhe me akuzën e funksionarëve të lartë.

Nga ana tjetër patëm diskutime dhe i drejtuam një sërë pyetjesh lidhur me mënyrën e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe të prokurorëve. Këto dy projektligje të rëndësishme i konsideroj si zemrën e reformës në drejtësi, pasi këto dy projektligje të cilat në ditët në vazhdim do të fillojnë të diskutohen në parim dhe nen për ne, do t’i japim njëherë e përgjithmonë fund atij fenomeni që është shprehur shpesh nga ju dhe nga të tjerë, por që qytetarët e kanë provuar në kurrizin të tyre, pandëshkueshmërinë. Pandëshkueshmërinë në nivelin e lartë, por nga ana tjetër do të bëjë që në sistem të qëndrojnë vetëm gjyqtarët dhe prokurorët e ndershëm, profesionalë dhe të dalin jashtë sistemit gjyqtarët e korruptuar.

Në fakt z. Basha sot ka deklaruar se prej disa ditësh ka dorëzuar një propozim të ri përsa i përket rekomandimit 88 dhe çfarë formule ka sjellë PD në komision?

Unë tani prej jush po e dëgjoj këtë propozim të z. Basha lidhur me paragrafin 88. Paragrafi jep disa rekomandime se si mund të zgjidhet çështja kur partitë politike nuk kanë arritur atë që quhet votim i cilësuar pra 3/5 apo 2/3. Unë di që po vazhdojnë negociatat. Nuk di ndonjë nismë të PD, madje do të thosha që ndihem keq, që kolegët e opozitës ndërkohë që ka negociata, dalin me paketa të cilat dalin jashtë pjesës së negociatave, nëse është ajo që thoni ju dhe ju besoj si media. Por unë besoj dhe mendoj që i gjithë procesi i negociatave nuk duhet të jetë negocim jashtë atyre strukturave për të cilat është negociuar.

 Propozimi i PD është tërheqje nga vendet e rezervuara. Ngritje e një komisioni me 12 anëtarë, 6 nga mazhoranca dhe 6 nga opozita?

Në rast se kolegët e opozitës janë tërhequr nga vendet e rezervuara, për këtë më vjen mirë sepse ishte një kërkesë absurde që binde ndesh me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Por për variantet e tjera, unë pa i lexuar dhe pa i studiuar nuk mund të prononcohem. Por do të doja dhe shpresoj që kolegët e opozitës të kuptojnë që zgjidhjet e problemeve të cilat do të sjellin pavarësinë e gjyqësorit por edhe atë që ne themi, kontroll dhe balancim të mos jenë pjesë e lojërave të politikës dhe të mos gjejmë atë kontrolluesin e radhës nga ana e politikës për të kontrolluar sistemin gjyqësor. Të ndërtojmë një sistem i cili të jetë eficent, i pavarur, profesional, larg ndikimit të politikë, dhe padyshim kontrolli, chek and balance, që themi të jetë konformë standardeve të Komisionit të Venecias.

Z. Fatmir Xhafaj ka deklaruar se gjatë këtyre ditëve PD do t’i vihen në dispozicion një tjetër propozim nga ana e Komisionit të Posaçëm për atë që konsiderohet vendet e rezervuara, për këtë jeni në dijeni dhe cili ka qenë ky propozim që ka menduar mazhoranca?

Unë kam respektuar atë marrëveshje që ne kemi bërë në Komisionin e Reformës në Drejtësi, që ne si teknicienë, pavarësisht se jemi përfaqësues të politikën në komision, të bëjmë punën profesionale si juristë profesionistë, për të nxjerrë ligje, projektligje sa më të mira që t’i shkojnë seancës plenare. Ligje që do të sjellin një reformë të drejtësisë me parimet dhe me standardet e duhura europiane. Ndërkohë grupi negociator të ofrojë opsionet, por gjithmonë brenda asaj që ka theksuar Komisioni i Venecias.  Ne kemi dallim shumë të madh. Ne nuk i nxjerrim në ankand gjërat për të cilët thuhet ka negociata. Grupet komunikojnë, negociojnë dhe më pas arrijmë në një zgjidhje e cila do të ishte e mirë t’i bëhej publikut.

Kjo zgjidhej do të arrihet përpara ardhmes së znj. Nuland?

 

Unë uroj dhe shpresoj që kolegët e opozitës të ofrojnë konsensus mbi bazën e parimeve, të standardeve, sepse po shikojnë që lëvizin nga një platformë në një platformë tjetër. Jemi mësuar dhe gjatë kësaj periudhe na kanë paraqitur shumë platforma, strategjie e dokumente, por mendoj që kuadri ku do të negociohet është Komisioni i Venecias.

Ju thatë që është diskutuar në parim përsa i përket procesit të vetingut. Roli i operacionit ndërkombëtar të monitorimit është diskutuar sot, pra do të vijohet të kërkohet ai rol mbikëqyrës, filtrues, madje deri përjashtues për gjyqtarët dhe prokurorët të cilët nuk plotësojnë kriteret? PD e ka kundërshtuar duke thënë se shkel sovranitetin e shtetit?!

Në fakt nuk është ndonjë gjë e re kjo që po më thoni ju për qëndrimin e opozitës. Ne kemi diskutuar sot, kemi bërë pyetje për ligjin në parim, sepse ne kemi të drejtë të diskutojmë në parim dhe të bëjmë pyetje nen për nen. Ajo që do të doja të theksoja është se ne sot vumë në pah rëndësinë që ka ky projektligj për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Atë çfarë e kërkojnë pjesa e ndershme e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por që e kërkojnë 93-94% e shqiptarëve për të pasur një sistem gjyqësor të pa korruptueshëm dhe të dënojmë atë që është pandëshkueshmëria. Pra që të shohim që në dyert e gjykatave të prokurorive të shkojnë edhe funksionarë të lartë që kanë abuzuar me detyrën dhe kjo është shumë e rëndësishme. Lidhur me rolin e misionit, ai është konformë ndryshimeve që ne kemi kaluar në projektin për ndryshimet kushtetuese. Dhe këto ligje po shikohen tashmë në kuadër të projektligjit në kuadër të ndryshimit të Kushtetutës.

Është publikuar sot në media një lajmë sipas të cilit misioni i EURALIUS ka propozuar që të legalizohet prostitucioni në vendin tonë. Në diskutimet që janë zhvilluar ka pasur një propozim të tillë?

Ju e dini që në kuadër të reformës në drejtësi është një paketë e tërë ligjesh që do të ndryshojë. Ne për momentin kemi mandatin që brenda datës 21 korrik të përmbyllim dhe t’i paraqesim seancës ndryshimet në Kushtetutë dhe 7 ligjet bazë që mundësojnë fillimin e zbatimit të reformës në drejtësi. Ndryshimet në Kodin Penal, në Kodin e Procedurës Penale padyshim që janë pjesë e paketës. Në qoftë se është bërë ky ndryshim, unë tani po e mësoj nga ju. Është një çështje që ne e kemi debatuar dhe shumë kohë më parë. Kur t’i vijë koha, unë premtoj që do të bëj një prononcim nga ana ime për këtë çështje.

Ndërkohë do të doja dhe për transparencë për ligjin e tretë që kemi diskutuar, për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Është diskutuar sot procesi i vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra një nismë që ishte depozituar në Kuvendin e Shqipërisë se si do të bëhet vlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve. U vendos që kjo të ishte pjesë e paketës dhe është përfshirë në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pra një vlerësim tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kritere të qarta objektive dhe ju padyshim si media do të keni kontributin tuaj në gjithë këtë proces.