Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi miratoi projektligjin "Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë"

Komisioni i Posaçëm për Reformën në Drejtësi u mblodh sot për të shqyrtuar dhe miratuar projektligjin "Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në Republikën e Shqipërisë".

Pas diskutimeve, projektligji u miratua me votat e mazhorancës, ndërsa opozita nuk ishte e pranishme në mbledhje.

Në vijim prononcim i znj. Hysi dhënë për mediat pas mbledhjes:

Çfarë projektligji diskutuat sot?

Sot diskutuam ligjin për Statusin Gjyqtarit dhe të Prokurorit dhe e votuam atë. Është një ndër ligjet sikurse kemi thënë dhe në daljet e mëparshme, shumë të rëndësishëm, pasi për herë të parë statusi i gjyqtarit dhe prokurorit rregullohet me një ligj të posaçëm.

A keni menduar për faturën financiare?

Po kemi diskutuar dhe sot kemi trajtuar përfundimisht atë bashkëpunim që patëm me Ministrinë e Financave, DAP dhe me ne si komision lidhur me kreun për pagat dhe përfitimet e tjera të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Por mos harroni që është edhe pjesa e administratës së gjykatave dhe prokurorisë.

Znj. Hysi sa për qind rritet paga?

Me shifra nuk mund të flas sot sepse aty janë shumë krerë. Ajo që ka rëndësi është që trajtimi i tyre do të jetë më dinjitoz. Unë mendoj që për këtë ligj qytetarët do të kenë interes të dinë se si do të jetë statusi i një gjyqtari dhe prokurori që do të japi drejtësi për ta se sa paga. Sepse gjithë kohës kemi fol për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve ndërkohë në këtë ligj rregullohet cilësia. Se kush mund të jetë magjistrat, si mund të ushtrosh detyrën e magjistratit, se si duhet të japësh drejtësi, rregullat që janë përcaktuar për funksionin e magjistratëve, për masat disiplinore për çdo lloj zvarritje dhe çdo lloj vendimi të paligjshëm dhe të padrejtës apo abuziv, për përgjegjësinë që do të mbajnë tashmë gjyqtarët dhe prokurorët për veprimet, shkeljet e ligjit, qoftë edhe nga pakujdesia. Pra ka gjëra shumë më të rëndësishme në këtë ligj për të cilat unë mendoj që qytetarët duhet të informohen.

Znj. Hysi sa projektligje kanë mbetur nga paketa e ligjeve?

Është edhe ligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe paketa e 7 ligjeve përmbyllet.

A mund të quhet i mbaruar ky ligj pa praninë e opozitës?

Opozita e ka bërë zgjedhjet e saj. E kam thënë dhe disa herë më parë që opozita duhet të ishte e pranishme. Ky ligj është diskutuar që në muajin qershor. Nuk është se ligji diskutohej sot për herë të parë. Ka pasur një sër diskutimesh. Është një ligj voluminoz. Është gati 180 nene që rregullon jashtëzakonisht aspektet të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Të masave disiplinore, të mënyrë së trajnimit, kualifikimit të tyre, raportin me qytetarin që deri më sot ka qenë abuziv dhe subjektiv, ndërkohë që këtu përcaktohen qartë që të gjitha llojet e marrëdhënieve dhe rastet kur mund të quhet që të drejtat e qytetarit që merr drejtësi janë shkelur. Opozita ka pasur mundësinë dhe jo vetëm mundësinë, por ka dhe për detyrë që të jetë e pranishme dhe unë nuk do të justifikoja asnjë sjellje, qëndrim të opozitës, apo ndonjë koment që mund të bëj për ligjin sepse ka pasur mundësinë dhe ka pasur detyrimin të ishte aty në komision siç kemi qenë ne me orë të tëra.

A rrezikon këto ligj të kenë fatin e vetingut që mund të shkojë në Gjykatën Kushtetuese?

Ligji i vetingut është miratuar. Çdo kush mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.

A mund ta konsideroj veten trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve aktual të kërcënuar nga projektligji i ri për statusin e gjyqtarëve?

Ky ligj e rregullon shumë mirë statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve sepse deri më sot ju e dini se si janë trajtuar gjyqtarët dhe prokurorët. Qartësohet shumë mirë karriera e tyre. Qartësohet shumë mirë kriteret e emërimit të tyre, transferimit, të komandimit, ngritjes në karrierë. Pra nuk do të kemi rastet që një gjyqtar që nga shkalla e parë menjëherë të katapultohet në Gjykatën e Larë, ose gjyqtar që kanë të njëjta standarde, njëri promovohet dhe tjetri nuk promovohet. Gjërat tashmë jo vetëm që janë të rregulluara në ligj, por janë të rregulluari qartë, pa pasur hartime ose formulime të dispozitave të cilat bien ndesh dhe mund të jenë shkak për qëndrime subjektive. Nga ana tjetër është zgjidhur shumë mirë edhe me dispozita tranzitore edhe statusi i tyre.

Kur pritet që të diskutohet ligji për Gjykatën Kushtetuese dhe kur do të kalojnë në seancë?

Ditën e hënë do të shqyrtohet ligji për Gjykatën Kushtetuese dhe ditën e enjte janë në seancë ligjet.