Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, z.Fatmir Xhafaj zhvilloi takim konsultues me përfaqësues të organizatave jo qeveritare, të cilat, veprimtarinë e tyre e kanë të fokusuar në fushën e mbrojtjes së lirisë së medias

Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, z.Fatmir Xhafaj zhvilloi sot një takim konsultues me përfaqësues të organizatave jo qeveritare, të cilat, veprimtarinë e tyre e kanë të fokusuar në fushën e mbrojtjes së lirisë së medias. Ky takim erdhi si pasojë e shqetësimit të ngritur lidhur me nenin 13, pika 3 të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar , si dhe të nenit 6, pika 3 të projektligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë.

Duke e vlerësuar takimin konsultues të organizuar nga Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, z.Fatmir Xhafaj, të pranishëm në të, përfaqësues të Unionit të Gazetarëve, Institutit Shqiptar të Medias, Qendrës (BIRN ALBANIA), Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë, Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, si dhe Shoqatës së Mediave Elektronike, shkëmbyen mendime për çështjet e sipërcituara dhe çështje të tjera të kësaj fushe në kuadrin e hartimit të ligjeve të reformimit të sistemit të drejtësisë.

Përfaqësuesit e organizatave të medias vlerësuan gjithashtu vullnetin për qartësimin e dispozitave ligjore përkatëse në mënyrë që ato t’i përshtaten frymës së standardeve ndërkombëtare, që rregullojnë konsolidimin e pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve në ushtrimin e detyrës, si dhe faktin që rishikimi i këtyre dispozitave do të bëhet duke marrë në konsideratë standardin ndërkombëtar të “ndalimit të ndikimeve të papërshtatshme të brendshme apo të jashtme”, me çfarëdo mjeti që ushtrohet ky ndikim, si dhe opinionet e Komisionit të Venecias lidhur me nevojën e saktësimit në ligj se përjashtohet nga përgjegjësia çdo kritikë legjitime, sipas KEDNJ dhe jurisprudencës së GJEDNJ (exclude legitimate criticism according to the European Convention on Human Rights and the case-law of the European Court of Human Rights”.