Përmbyllen tryezat e konsultimit publik të zhvilluara në të gjithë vendin, në kuadër të prezantimit dhe të diskutimeve mbi paketën e ndryshimeve kushtetuese

Takimi i sotëm në Shkollën e Magjistraturës përmbylli tryezat e konsultimit publik të zhvilluara në të gjithë vendin, në kuadër të prezantimit dhe të diskutimeve mbi paketën e ndryshimeve kushtetuese.

Të pranishëm në këtë takim ishin kandidatë për magjistratë si dhe pedagogë të Shkollës së  Magjistraturës.

Në këtë tryezë konsultative për “Shkollën e Magjistraturës”, mbajti një fjalë përshëndetëse, znj. Romana Vlahutin, Ambasadore e Delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë.

Znj. Romana Vlahutin theksoi se reforma nuk do të ndalet pasi është e vetmja rrugë që Shqipëria të bëhet si Europa.

“25 vjet më parë njerëzit thanë ‘e duam Shqipërinë si gjithë Europa’. Ky është thelbi i reformës. 25 vjet më parë duhej shumë më tepër guxim për të dalë në rrugët e Tiranës për të kërkuar liri, sesa duhet sot për të realizuar këtë reformë. Prandaj, nuk ka justifikime dhe të gjithë ata që mendojnë se me arrogancë, manipulime apo lobime agresive do ta ndalojnë këtë proces, janë të gabuar”, deklaroi znj. Vlahutin.

Duke marrë shkas nga informacionet e dhëna në media për shkarkim të 400 gjyqtarëve, Ambasadorja e Delegacionit të Bashkimit Europian i cilësoi të pavërteta duke theksuar se reforma nuk po bëhet kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve, por për prokurorët dhe gjyqtarët, në mënyrë që të ndiqet vetëm një autoritet, ai i ligjit dhe i së vërtetës.

“Është koha që brezi juaj te përfundojë atë që studentët nisën 25 vjet më parë. Ajo përpjekje nuk ka mbaruar ende. Dhe mos kini frikë, veçanërisht mos kini frikë nga ata që duan të besoni se janë të paprekshëm. Të paprekshëm nuk ka”, tha znj. Vlahutin.

Më pas, dy ekspertët , znj Agnes Bernhard, eksperte ndërkombëtare e Misionit EURALIUS dhe z. Jon Smibert, ekspert ndërkombëtar i OPDAT-it prezantuan risitë e amendamenteve kushtetuese.

Në bashkëbisedim e diskutim me ekspertët e nivelit të lartë, të pranishmit në këtë konsultim dhanë mendimet dhe sugjerimet e tyre lidhur me paketën e ndryshimeve kushtetuese, të cilat më pas do të shqyrtohen për t’u reflektuar në dokumentin për ndryshimet kushtetuese.

 Në të gjithë vendin u zhvilluan katër tryeza qendrore në Tiranë, gjashtë tryeza rajonale me përfaqësues të shoqërisë civile dhe grupet e interesit, si dhe nëntë tryeza në qendra universitare, ku u zhvilluan bashkëbisedime me pedagogë dhe studentë të Fakulteteve të Drejtësisë.

Në këtë fazë, përgjatë muajit nëntor dhe dhjetor, konsultimi publik synoi përthithjen e mendimeve dhe të sugjerimeve nga aktorë të sistemit të drejtësisë, profesionistë të fushës, nga përfaqësues të botës akademike, të grupeve të interesit, etj.