Zhvillohet në Vlorë tryeza konsultative mbi projektligjin e organizimit të pushtetit gjyqësor.

Ekspertët e nivelit të lartë vendas dhe ndërkombëtarë prezantuan sot në Vlorë dhe në Tiranë paketën e projektligjeve në kuadër të reformës në drejtësi.

Dr Agnes Bernard dhe znj. Marsida Xhaferllari, Eksperte të Nivelit të Lartë prezantuan në Vlorë risitë e projektligjeve për sistemin e drejtësisë, për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe për përmbajtjen e projektligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor.

Ndërsa në Tiranë, u zhvillua tryeza konsultative me temë “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”.

Në pjesën e parë të takimit u prezantuan risitë e projektligjit në specifikimin e kritereve, kushteve dhe procedurave për emërimin e gjyqtarëve, si dhe mënyra e organizimit dhe e funksionimit të GJK” - (nenet 1-48), nga Prof.Asoc.Dr. Sokol Sadushi, Bashkë-Kryetar i Grupit të Punës për Ndryshimet Kushtetuese, si dhe Drejtues i grupit të punës për hartimin e Projektligjit të GJK.

Ndërsa Prof.Dr.Aurela Anastasi, Eksperte e Grupit të Punës për Ndryshimet Kushtetuese si dhe e Grupit të Punës për hartimin e Projektligjit të GJK prezantoi procedurat e veçanta në gjykimin kushtetues- (nenet 49-86).

Pas prezantimeve, sugjerime dhe komente nga gjyqtarë dhe prokurorë, avokatë, noterë dhe përfaqësues të institucioneve publike u bënë lidhur me paketën e projektligjeve të paraqitura.