Ardian Dvorani (Gjyqtar, Gjykata e Lartë)

Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1988. Ka shërbyer si prokuror në  Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër në  periudhën 1988-1991. Ka ushtruar funksionet e këshilltarit ligjor dhe drejtorit të Departamentit Juridik pranë  INSIG sha në  periudhën 1991-1994. Ka ushtruar profesionin e avokatit në  vitet 1994-1998. Ka shërbyer si këshilltar ligjor pranë Këshillit të Ministrave në periudhën mars 1998-shtator 1999. Ka ushtruar funksionin e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë në periudhën shtator 1999- shkurt 2005 dhe, gjatë vitit 2004, për një periudhe 6 mujore, edhe funksionin e Drejtorit të Departamentit Juridik në Kuvendin e Shqipërisë. Gjatë viteve 1999-2005, ndërmjet të tjerave, ka qenë zëvendëskryetar i Këshillit Mbikëqyrës të INSIG sha, Albetelekom sh.a dhe SICRED sh.a, Kryetar i Bordit Kombëtar të Monitorimit Antikorrupsion, Kryetar i delegacionit shqiptar në GRECO si dhe raporter i kësaj organizate ndërkombëtare për mbikëqyrjen e respektimit të standardeve antikorrupsion dhe antikrim për një numër vendesh anëtare të tij. Deri në shkurt të vitit 2005 ka qenë anëtar i përhershëm i grupit negociator për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE për çështjet e drejtësisë dhe punëve të brendshme. Është kryetar i Komisionit për Përmirësimin e Vazhdueshëm Profesional të Konferencës Gjyqësore Kombëtare dhe nga nëntori 2005 anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës. Me dekretin nr. 4481, datë 17 Shkurt 2005, të Presidentit të Republikës së Shqipërisë është emëruar anëtar i Gjykatës së Lartë.