James Hamilton (Përfaqësues i Komisionit të Venecias)

James Hamilton është diplomuar në Histori dhe Shkenca Politike në vitin 1971 në Kolegjin “Trinity” në Universitetin e Dublinit. Ai është pjesë e Dhomës së Avokatisë të Irlandës dhe njëkohësisht ka praktikuar avokatinë në periudhën 1973 - 1981. Në vitin 1981 është emëruar këshilltar ligjor me kohë të plotë pranë Avokatit të Përgjithshëm në Irlandë. Në vitin 1995 është emëruar drejtor i përhershëm i Zyrës së Avokatit të Përgjithshëm. Ka qenë anëtar i grupit për rishikimin e Kushtetutës dhe ka publikuar një përmbledhje të plotë të Kushtetutës së Irlandës në vitin 1996. Ka punuar si këshilltar ligjor në Qeverinë e Irlandës për çështje të ndryshme veçanërisht në fushën kushtetuese, administrative, penale dhe të të drejtave të njeriut. Ka qenë përgjegjës për këshillimin e Qeverisë Irlandeze gjatë negociatave për arritjen e marrëveshjes me Irlandën e Veriut në vitin 1998. Në vitin 1998 u emërua gjithashtu përfaqësues i Irlandës në Komisionin e Venecias. Në vitin 1999 u emërua drejtor i Prokurorive Publike të Irlandës, funksion, me statusin e një zyrtari të pavarur, përgjegjës për fillimin dhe ndjekjen e hetimeve në Irlandë.