Prof.Dr. Maksim Haxhia (Kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë)

Është diplomuar në Drejtësi në Universitetin e Tiranës në vitin 1982. Në vitin 1985 është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë. Ai ka marrë disa tituj akademikë si “Kandidat i Shkencave” (1990), “ Doktor i Shkencave Juridike” (1994), “Profesor i Asociuar” (2004) dhe “Profesor” (2013). Gjatë karrierës së tij ai ka kryer disa specializime në Shqipëri dhe jashtë vendit, përfshirë një specializim në Universitetin e Harvardit. Në vitin 1992, ka qenë Prokuror i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë. Ai iu bashkua Dhomës Kombëtare të Avokatisë në vitin1992 dhe është kryetar i saj prej vitit 2000. Gjithashtu, ai është anëtar i bordit të Shkollës së Magjistraturës prej vitit 2000. Për periudhën 1985 - 1992 ai ka ushtruar profesionin si pedagog në Fakultetin e Drejtësisë dhe prej vitit 1997 ai është pedagog me kohë të pjesshme në Shkollën e Magjistraturës. Është Kryetar i Komitetit Shkencor të Shkollës së Avokatisë dhe lektor përgjegjës në këtë Shkollë prej muajit Janar, 2013. Në vitin 2002 ai ishte anëtar i grupit të punës për hartimin e ligjit “ Për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, të Detyrimeve Financiare të Zyrtarëve Publikë dhe disa nëpunësve publikë”, si dhe autor i Ligjit “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë”. Ai ishte anëtar i Stafit Teknik për hartimin e Kushtetutës në vitin 1998 si dhe autor i disa librave dhe artikujve.