Prof. Dr. Ardian Nuni (Gjyqtar, Gjykata e Lartë)

Është diplomuar në Drejtësi, në Fakultetin e Drejtësisë Universiteti i Tiranës në vitin 1991. Në vitin 1997 ka marrë gradën shkencore “ Doktor i Shkencave Juridike”, në vitin 2004 titullin “Profesor i Asociuar në Drejtësi” dhe në vitin 2009 titullin “ Profesor në Drejtësi”. Ai u emërua gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë në vitin 1991, ndërsa në periudhën 1992-1993 ka shërbyer si gjyqtar dhe pastaj zëvendëskryetar i Gjykatës së Rrethit Tiranë. Nga viti 1993 deri në vitin 2007 ka punuar me kohë të plotë si pedagog në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, ku ka ushtruar funksionin e zëvendës dekanit (1993-1996; 2003-2007) dhe funksionin si përgjegjës i departamentit të së drejtës civile (2002- 2007). Ai ka kryer disa kualifikime pasuniversitare jashtë shtetit në fushën e së drejtës, ka qenë anëtar i Senatit të Universitetit të Tiranës dhe në disa organizata të tjera profesionale. Ai është autor dhe bashkautor i disa librave dhe monografive në fushën e të drejtës civile dhe ka dhënë mësim në programe universitare dhe pasuniversitare. Nga viti 1993 deri në vitin 2007 ai ka ushtruar profesionin e avokatit pranë Dhomës Kombëtare të Avokatisë dhe nga viti 1998 është pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës. Me vendimin nr. 48, datë 13.07.2006 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë është emëruar anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, funksion nga i cili u largua me dorëheqje për shkak të emërimit si anëtar i Gjykatës së Lartë në dt. 04.04.2007.