Vazhdon diskutimi nen për nen i projektligjit Antikorrupsion (GjKrR; SPAK; Nj.P.Hetimore) dhe i projektligjit për Rivlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve

Znj. Hysi çfarë arriti të konkludojë komisioni në mbledhjen sotme?

Sot është diskutuar vazhdimi  nen për nen i një prej projektligjeve më të rëndësishme që përbën dhe thelbin e reformës, i strukturave të posaçme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Çështjet që janë diskutuar sot gjerësisht kanë qenë kompetencat e prokurorisë së posaçme, të gjykatës së posaçme dhe të byrosë kombëtare të hetimit. Kriteret e përzgjedhjes së personave që do të punojnë në këto institucioneve, procesi i kontrollit dhe i verifikimit të tyre dhe një sërë problemesh të tjera që lidhen me mirëfunksionimin e këtyre strukturave.

Unë e thashë që në fillim që është projektligji më i rëndësishëm sepse suksesi i reformës në drejtësi do të varet se sa do të luftohet korrupsioni brenda sistemit, por edhe jashtë sistemit në shoqërinë shqiptare, korrupsion dhe krim që mban peng zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe mirëqenien e qytetarëve.

Ndërkohë që ajo që do të doja të theksoja është se ndihem shumë e keqardhur, edhe unë dhe kolegu, që për këtë projektligj opozita nuk ishte e pranishme në diskutim. Është një ndër projektligjet për të cilat ka shprehur gjithmonë opinionin që jemi dakord, nuk kemi asnjë gjë kundër dhe sot nuk ishte e pranishme në këtë diskutim. Nga ana tjetër do të doja të theksoja që mbledhja ka qenë relativisht e gjatë, një nga mbledhjet më të gjata që ka pasur për shkak të rëndësisë që ka projektligji.

Ai është një projektligj i përgatitur nga ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë me një cilësi do të thosha shumë të mirë dhe është bërë një punë e lavdërueshme, por duke pasur parasysh rëndësinë e këtij ligji dhe sensibilitetin që ka, të dy, si kolegu Manja që është relatori i ligjit, por dhe ne anëtarët, jemi treguar shumë të vëmendshëm për të diskutuar çështje më çështje të gjitha rregullimet që parashikon ky projektligj.

Sa mbledhje ju ka mbetur nga puna e Komisionit për të kaluar në votim në seancë plenare?

Mendoj se ditën e premte do mbyllim diskutimet e projektligjet sepse është projektligji për qeverisjen e sistemit të drejtësisë dhe projektligji për rivlerësimin ose siç njihen ndryshe projektligji për vetingun.

Në fakt dje keni pohuar se do të jetë mazhoranca e hapur për rekomandime apo për propozime që mund të vijnë nga PD për shtatë ligjet që shoqërojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese. A keni pasur ndonjë komunikim nga PD për këto shtatë ligjet?

Për të qenë korrekt për atë që kam deklaruar dje, kam thënë shprehimisht: E gjithë paketa e projektligjeve që po diskutohet në funksion të draftit kushtetues që gjendet në Kuvend, ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur për secilin nga projektligjet në fazën e diskutimit nen për nen, jo vetëm për komentet dhe sugjerimet e ekspertëve dhe të anëtarëve të opozitës në komision, por e kam thënë për çdo gjyqtar dhe prokuror në Shqipëri dhe për të gjithë aktorët e sistemit të drejtësisë që janë të interesuar për të dhënë sugjerime dhe komente në funksion të përmirësimit dhe të cilësisë së projektligjeve që po diskutohen në komisionin e reformës në drejtësi, komisioni është i hapur.

Edhe për ligje që do të diskutojmë ditën e premte që është ligji për organet e qeverisjes së gjyqësorit, por edhe për ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, apo për atë që quhet ligji i Vetingut, përsëri vlen e njëjta ftesë për ekspertët e opozitës, për anëtarët e komisionit të opozitës në komisionin e reformës në drejtësi, dhe për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët që janë të mirëpritur edhe për këto dy projektligje, janë të mirëpritur për sugjerime dhe komete. Kjo është ajo çka kamë deklaruar dje dhe e përsëris edhe sot.

Deri të premten apo deri në 21 korrik?

Unë doja të shtoja diçka. Ligji që kemi diskutuar sot për institucionet e posaçme të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk kanë shumë lidhje të drejtë për drejtë me kushtin që ka vënë opozita për të gjetur konsensus. Sepse roli i ndërkombëtarëve në procesin e krijimit të strukturave të posaçme është pranuar dhe është kërkuar me forcë të madhe dhe nga opozita. Çështjet që ka kërkuar opozita dhe për të cilin pritet ai konsensus, dhe me keq ardhje, nuk e di sa i vërtet është, por të paktën dëgjova, që nuk i kanë dhënë konsensusin, nuk kanë lidhje me këtë ligj. Me këtë ligj roli i kombëtarëve si vëzhgues, si monitorues i këtij procesi ka qenë një rol i pranuar që në fillim. Ndërsa për ligjet e tjera ne kemi lënë disa çështje të hapura sepse të gjitha ligjet do të rakordojnë me njëra tjetrën, sidomos dispozitat tranzitore, ato që do të bëjnë hyrje në fuqi të ligjit, por nga ana tjetër me qenë se ditën e premte ne kemi ligjin Për Qeverisjen e Sistemit Gjyqësor dhe ligjin për vetingun, ose rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, edhe unë pajtohem me thirrjen që bëri kolegu Manja që çdo gjyqtar dhe prokuror nëse ka pyetje, sugjerime për të dyja projektligjet, janë të mirëpritur. Draftet e tyre i kanë të botuara në faqen zyrtare të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe mund t’i adresojnë çdo shqetësim, sugjerim, ose për ndonjë pyetje për paqartësi në adresat e Kryetarit të Komisionit dhe sekretariatit. Ne jemi të gatshëm, kemi pasur ndërkohë që diskutojmë ligje komente e sugjerime ose kuptime të ndryshme apo lexime të ndryshme të ligjit nga persona të tjerë dhe ne jemi treguar shumë të kujdesshëm dhe të vëmendshëm si anëtarë të komisionit por dhe grupit t ekspertëve të nivelit të lartë vendas dhe ndërkombëtarë. Me këtë rast do të doja shumë t’i falënderoja për fleksibilitetin e tyre, për pranimin e shumë sugjerimeve që kanë bërë sot anëtarët e komisionit, qoftë z. Manja si relator i këtij ligji por edhe unë dhe kolegët e tjerë që jemi anëtarët e këtij komisioni.

Afati i fundit do të jetë deri të premten apo do të priten deri më 21 korrik sugjerimet e gjyqtarëve dhe prokurorëve?

Ju besoj i dini procedurat parlamentare, ne nuk mund të presim pafundësisht për ligjet për të cilat ne i kemi diskutim të premten. Sugjeroj dhe ftoj kolegët, që çdo gjyqtar, prokuror, punonjës i sistemit të drejtësisë për çdo lloj komenti sugjerime që kanë apo edhe pyetje për të adresuar se na ndihmojnë edhe ne që të jemi zëdhënësit e tyre në komision në raport me grupin e ekspertëve të nivelit të lartë vendas dhe ndërkombëtarë. Pastaj për çështjet e tjera besoj që projektligjet paketa duhet mbyllur.

A ka ardhur përgjigja e qeverisë për faturën e rritjes së rrogave të gjyqtarëve...?

Akoma, është ngritur një grup pune siç edhe ju jeni në dijeni, më kërkesë të kryetarit të komisionit për reformën në drejtësi, z. Xhafaj. Qeveria ka ngritur një grup pune të përbërë nga ministri të ndryshme, nga Ministria e Financave, nga Drejtoria e Shërbimeve, Ministria e Drejtësisë, etj. po punohet për pjesën e buxhetit dhe paketën financiare.